Ja si u vra 28 vjeçari

Zbardhet në kohë rekord vrasja e ndodhur mbrëmjen e djeshme në rrugën “Aleksandër Moisiu”.
Identifikohet e shpallet në kërkim autori i dyshuar i vrasjes së 28 vjeçarit M.M

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në funksion të zbardhjes së ngjarjes ngriti menjëherë një grup të posaçëm hetimor.

Pas një pune intensive dhe profesionale, gjatë gjithë natës dhe orëve të para të mëngjesit, fiksimit të çdo prove në vendngjarje, si dhe një sërë veprimesh të tjera hetimore, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes.

Specialistët e Sektorit për Krimet e Rënda në D.V.P. Tiranë, bënë shpalljen në kërkim të autorit të dyshuar:

• K.Gj., 40 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë.

Ky shtetas dyshohet se rreth orës 20:25, në rrugën “Aleksandër Moisiu”, për motive hakmarrjeje ka vrarë me armë zjarri shtetasin M.M., 28 vjeç.

Vijon puna intensive për gjetjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar të shpallur në kërkim.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale “Vrasjes për gjakmarrje” , “Mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” parashikuar nga nenet 78/a dhe 278/2 të Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit K.Gj.

Njoftimi i policisë për arrestimin e babait të viktimës:

Babai i Mario Majollarit, që u ekzekutua mbrëmë me 4 plumba në Tiranë, ndodhet në burg, i dënuar përjetë për vrasje të dyfishtë, të kryer në bashkëpunim 18 vite më parë.

Avni Majollari u arrestua 14 vite pas ngjarjes dhe në banesë iu gjet arsenal armësh gjatë një operacioni që realizoi Policia e Tiranës në vitin 2014-të.

Policia e Tiranës më 1 mars të vitit 2014-të njoftoi për arrestimin e të kërkuarit, Avni Majollari. Sipas Policisë, rreth orës 00:15, në rrugën “Ibrahim Brahja” në Tiranë, nga Sektori i Operacioneve Speciale dhe Kërkimit ishte bërë e mundur kapja e personit shumë të kërkuar Avni Xhemal Majallari, në atë kohë 44 vjeç.

Majollari ishte dënuar me burgim të përjetshëm për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” e kryer në bashkëpunim.

“Në vitin 2000 ka vrarë pas një konflikti me armë zjarri shtetasin Armando Nelaj (ish-kunati i tij) dhe Ilir Gjuzin, në segmentin rrugor Tiranë – Dajt. /Zamira Kajaçi.

(Visited 43 times, 1 visits today)